Krahasimi i të dhënave

Hulumtimi për rolin dhe pozicionin e vajzave në shoqërinë e Kosovës tregon rezultate interesante që shfaqin një hendek aftësish midis gjinive gjë që minimizojnë kontributin që  vajzat kanë në shoqëri. Prandaj, duke parë nga një pamje gjithëpërfshirëse, rezultati i parë që monitoroi projekti GPU është se si qëndrimet e pjesëmarrësve qëndrojnë në krahasim me të dhënat ekzistuese në treg.

Gjetjet e mbledhura nga burimet ekzistuese në treg

Gjetjet nga projekti GPU

Të dhënat aktuale tregojnë se “Një nga pengesat kryesore në punësimin e grave janë normat shoqërore që ndikojnë në vetëbesimin dhe rezistencën e grave brenda shoqërisë dhe vendit të punës” (MCC, 2018).

Kur u pyetën nëse normat sociale ndikojnë në vetëbesimin e pjesëmarrësve kur aplikojnë për një vend pune, shumica e vajzave – 68.85%, nuk u pajtuan, që është një konstatim që ndryshon nga gjetjet që tashmë ekzistojnë në treg.


Sipas Agjensisë së Barazisë Gjinore (2011), familja ka një rol kryesor në ndërgjegjësimin për barazinë gjinore në shoqërinë tone.

Ky konstatim konkludohet edhe nga të dhënat e mbledhura nga anketa fillestare dhe përfundimtare të implementuara gjatë projektit, ku një numër mesatar prej 98.66% e pjesëmarresve pajtohen që familja duhet t’u mësojë atyre për rëndësinë e të drejtave të barabarta midis vajzave dhe djemve.


Të dhënat ekzistuese zbulojnë se në fazën e tranzicionit nga arsimi i detyrueshëm në atë jo të detyrueshëm (moshat 15-18 vjeç), niveli i braktisjes së edukimit pëson ngritje tek gjinia femërore (Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, 2017).

Të dhënat e mbledhura nga projekti GPU bien në kundërshtim me këto gjetje pasi tregojnë se shumica e pjesëmarrësve – 93.46% kanë si synim kryesorë vazhdimin e arsimimit, zbulim ky i cili zbulon një kontrast midis të dhënave GPU dhe të dhënave ekzistuese në treg.


Të dhënat ekzistuese në treg zbulojnë se “Arsimimi përgatit vajzat për tregun e punës”, (Agjensia e barazisë gjinore, 2011).

Të gjeturat nga anketa fillestare dhe përfundimtare tregojnë korelacionin midis të dhënave ekzistuese dhe atyre që janë mbledhur gjatë programit GPU. Në anketë 89.23% pajtohen me deklaratën se arsimimi përgatit vajza për tregun e punës, ndërsa kjo përqindje rritet në anketen përfundimtare në 95.79%.


Gjetjet ekzistuese në treg tregojnë se arsimimi i ndihmon vajzat të marrin vendime më të mira (Agjensia e barazisë gjinore, 2011).

Këto gjetje janë të ngjashme me gjetjet nga anketa fillestare dhe përfundimtare që tregojnë se një mesatare prej 96% pajtohen me deklaratën se “Arsimimi i ndihmon vajzat të marrin vendime më të mira”.


Një konstatim interesant janë edhe të dhënat që tregojnë se “gratë janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor (52.9%), ndërsa burrat janë kryesisht të punësuar në sektorin e tregtisë, ndërtimit dhe prodhimit (44.1%)” (Anketa e Fuqisë Punëtore, TM4 2018).

Rezultatet nga anketa fillestare dhe përfundimtare zbulojnë se një numër mesatar prej 40.36% janë të interesuara të punojnë në sektorin e arsimit, kryesisht në institucione arsimore; ndërsa vetëm një mesatare prej 2.61% janë të interesuara të punojnë në sektor të ndërtimtarisë dhe prodhimit.